Më 22 janar 2018 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë albanologia kineze, prof. Ke Jin nga katedra e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (Beijing Foreign Studies University BFSU), mbajti një ligjëratë për krijimtarinë e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare. Njoftimi për këtë veprimtari u prit me interesim të veçantë, prandaj në sallën "Aleks Buda" ishin të pranishëm studiues të shumtë të gjuhës dhe të letërsisë shqipe, të shkencave të tjera shoqërore dhe të natyrës, shkrimtarë dhe artistë; gazetarë të televizioneve dhe të gazetave të ndryshme; punonjës të institucioneve kulturore, diplomatë shqiptarë e kinezë etj.
Këto ditë u nda nga jeta prof. Alain Ducellier, historian francez, bizantolog e albanolog ndër më të shquarit e shek. XX. Alain Ducellier u formua në shkollën e mjeshtrit të madh të studimeve bizantine, Paul Lemerle, dhe për shumë vjet drejtoi Institutin e Studimeve Bizantine në Universitetin Le Mirail të Toulouse-s. Është autor i më se 20 monografive dhe i një numri shumëfish artikujsh shkencorë mbi Bizantin e botën bizantine, përkthyer e botuar në disa gjuhë e në revistat më të njohura shkencore të specializuara. Solli një qasje të re metodologjike në këto studime, duke u nisur nga periferitë për të shkuar drejt qendrës së Perandorisë duke i kushtuar një vëmendje, deri atëherë të munguar, provincave bizantine. Kështu, falë njohjes sovrane të gjuhëve e të kulturave të të gjithë popujve të përfshirë në Perandorinë Bizantine, Ducellier zbuloi dhe tregoi historitë "arabe", "sllave", "greke", "italiane" e sidomos "shqiptare" të asaj Perandorie.
Më 2007 dhe 2008, në Tiranë dolën në Institutin e Gjuhësisë dhe e Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dy vëllimet e para të Atlasit gjuhësor shqiptar1, vepër e një grupi profesorësh të Universitetit të Tiranës: Jorgji Gjinari, Bahri Beci, Gjovalin Shkurtaj dhe Xheladin Gosturani; bashkëpunuan Anastas Dodi dhe Menella Totoni. Bashkërenditjen e punës përgatitore të nevojshme në përpunimin e një atlasi gjuhësor e siguroi J. Gjinari. Ai është, gjithashtu, autori i një hyrjeje me të dhëna të bollshme. Ky studim (botuar shqip dhe italisht) vë në dukje problemet e përgjithshme të dialektologjisë shqiptare, jep njohuri mbi historinë paraprake të kërkimeve për kryerjen e Atlasit, si edhe mbi përgatitjen dhe organizimin e hulumtimeve, mbi klasifikimin e materialit dhe redaktimin e hartave. Në të vërtetë, Atlasi hapet me një Parathënie të Mahir Domit, albanolog i brezit më të vjetër, që përkrahu gjithmonë, që nga mesi të shekullit të kaluar, ashtu si Eqrem Çabej dhe Al. Xhuvani, përpjekjen e gjuhëtarëve të rinj për të vëzhguar gjithë krahinat dialektore të vendit.
Në 200-vjetorin e lindjes së Thimi Mitkos Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka botuar në dy vëllime librin Thimi Mitko (18820-1890) "Bleta shqiptare, shkrime të tjera dhe dokumente", përgatitur nga Dhori Q. Qirjazi, Tiranë, 2020. Prof. Dhori Qirjazi prej vitesh i ka hyrë studimit të thelluar të veprimtarisë mbledhëse e krijuese të rilindasit të shquar Thimi Mitko, nëpërmjet shqyrtimit të dokumenteve në fondet e dedikuara të Arkivit të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë dhe të Arkivit Qendror të Shtetit, të sjella në Shqipëri në mesin e viteve '80 nga prof. Jorgo Bulo. Ky fond i pasur me dorëshkrime, i ruajtur nga pasardhësit e Mitkos në Aleksandri të Egjiptit, është një thesar i vërtetë për të hedhur dritë e për të plotësuar zbrazëtitë mbi veprimtarinë letrare të panjohur të Thimi Mitkos. Mbas një pune disavjeçare prof. Qirjazi nxori në dritë botimin e dorëshkrimit të Fjalorit shqip-greqisht e greqisht-shqip bashkë me ndihmesa të tjera leksikografike të Mitkos, duke kryer punën e imtë përgatitore të botimit të 5 mijë skedave me dorëshkrime si dhe një studim hyrës për historikun e parateksteve. Shënojmë që prof. Dhori Qirjazi është studiuesi i rrallë, në mos i vetmi albanolog në kohën e sotme, i cili ka përgatitjen dhe formimin e duhur gjuhësor e filologjik për t'u marrë me studimin, transkriptimin, përkthimin dhe përgatitjen për botim të një vepre si ajo e Mitkos, e shkruar me alfabetin grek dhe pjesërisht e shkruar në gjuhën greke.
Autori i monografisë në fjalë, Kurt Gostentschnigg (1965) historian, albanolog, gjermanist, përkthyes, shkrimtar e poet është emër i mirënjohur, dallohet si një ndër albanologët më të shquar austriak i kohëve të sotme, dhe si i tillë është pjesë dhe vazhdimësi e traditës së pasur të albanologjisë austro-gjermane. Studiuesi është njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe, hapësirës dhe botës shqiptare në tërësi, po ashtu veprimtar aktiv përmes pjesëmarrjes nëpër konferenca shkencore dhe aktiviteteve të ndryshme kulturore si në Vjenë, Grac, Munih, Regensburg, Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Shkup e Tetovë etj., që kanë të bëjnë sidomos me këtë fushë dhe periudhë kohore që trajton monografia në fjalë. Kurt Gostentschnigg bashkëpunon ngushtë me studiuesit më me nam austro-gjermanë dhe me hulumtuesit shqiptarë nga të gjitha viset e botës shqiptare. Përshtypja e parë sapo ke në dorë këtë monografi, si për nga vëllimi me mbi 800 faqe, teksti i ngjeshur, ndërtimi, aparatura shkencore (me mbi 2500 fusnota), korpusi i pasur, literatura profesionale e shfrytëzuar mjaft e pasur, të bindin për peshën dhe vlerën që ka ky libër i rrallë në këtë fushë. Peshën ia shtojnë edhe temat e trajtuara dhe periudha e gjatë kohore, vendimtare për fillet dhe zhvillimin e albanologjisë austro-hungareze 1867-1918 dhe në përgjithësi albanologjisë si shkencë. Kjo monografi përbëhet prej gjithsej tetë pjesëve; nis me pjesën hyrëse, vijojnë pesë kapitujt kryesor konceptuar sipas fushave: shkencore, politike, ushtarake, fusha e austrofilëve dhe interakcioni i fushave, kapitulli i gjashtë jep konkluzionet dhe i shtati përmban shtojcën me bibliografi dhe literaturën e shfrytëzuar. Hyrja e monografisë trajton arsyet dhe stadin e hulumtimeve, mendimet teorike, qëllimet dhe çështjen e hulumtimit, metodën e studimit dhe teoritë mbi të cilat mbështetet studimi.