Suchergebnisse
Filter
5 Ergebnisse
Sortierung:
Dosja 806 dhe procesverbali 6/VII/56 në arkivin e IGJL dhe lidhja e saj me realizmin socialist
In: Studime filologjike, Heft 1-2, S. 31-54
Përveç teksteve që janë botuar në formë monografish, artikujsh të veçantë apo përmbledhjet e tyre në libra teorikë e doracakë si edhe sprovat për sistemimin e një Historie të Letërsisë shqipe (shqiptare), përveç referateve të publikuar në shtypin letrar e politik të kohës e përtej veprave autoriale, shkruar fillimisht si imitim mimetik i realitetit e më pas nën frymëzimin apo orientimin e metodës së Realizmit Socialist, vlerë të posaçme për hetimin dhe ndjekjen e procesit të kalimit nga metoda artistike në një shkollë a drejtimin letrar unik, siç ishte ai i Realizmit Socialist në Shqipëri, paraqesin edhe dokumentet arkivore. Mes tyre tërheqin vëmendjen edhe materialet që gjenden në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë (ASA). Mes tyre ka dorëshkrime e daktiloshkrime që trajtojnë çështje e problematika të letërsisë shqiptare të Realizmit Socialist. Kronologjia që ndjekin e mbulojnë këto dokumente është e gjerë. Fillesat u përkasin viteve 1950 e në vijim. Në morinë e tyre disa paraqesin interes të veçantë, pasi trajtojnë çështje të teorisë së realizmit socialist, direktiva mbi këtë letërsi nën dritën e veprave të Stalinit apo disa sprova të hershme për monografi mbi realizmin socialist në letërsinë shqiptare. Pak detaje të kësaj dosjeje janë marrë në shqyrtim veçmas, për të interpretuar çështje të historishkrimit letrar shqiptar të Realizmit Socialist dhe sidomos rrugën përmes së cilës mbërriti kjo metodë. Në të njëjtin rrafsh qëndrojnë edhe çështjet e tipologjive lidhur periodizimin, procesin letrar, kriteret që u përdorën në hartimin e një maketi a projekti për një histori të letërsisë shqiptare, përfshi këtu edhe vëzhgimin mbi kufizimet që lanë jashtë historiografisë disa nga personalitetet e letërsisë shqiptare të viteve 1930-1940. Një studim të plotë e të hollësishëm lidhur me karakterin e periudhave letrare si dhe rrethanat e rrjedhojat e sprovave për hartimin e tekstit të "Historisë së letërsisë shqipe" ka sjellë studiuesi Shaban Sinani në veprën "Historia e letërsisë shqipe: çështje të hapura". Kontribut në këtë fushë kërkimi, duke sjellë fakte e interpretimet mbi çështjen e historishkrimit letrar, kanë sjellë edhe studiuesit Ali Xhiku dhe Eldon Gjika.
Përrallëzat "e Santorit" përkthim/krijimtari/përshtatje - motive dhe burime
In: Studime filologjike, Heft 3-4, S. 47-64
Pavarësisht se, në tërësinë e vet, krijimtaria e Franqisk Santorit nuk ka ende vëmendjen, vlerësimin dhe vendin e merituar në studimet filologjike dhe është përfaqësuar me zë jo të plotë e të drejtpërdrejtë autorial në tekstet shkollore, studiuesit që janë marrë në mënyrë të thelluar me krijimtarinë e Santorit - fabulist, mes të cilëve Kolë Kamsi, Ziaudin Kodra, Klara Kodra, Merita Bruci e të tjerë, e cilësojnë krijimtarinë e tij në këtë zhanër letrar si të njërit prej autorëve më të hershëm e me vlera, në lëvrimin e fabulës së shkruar në gjuhën shqipe.
Poezia-miniaturë në gjuhën Shqipe dhe shkurtimat e Xhevahir Spahiut
In: Studime filologjike, Heft 3-4, S. 81-112
Miniaturat në vargje, këto forma të shkurtra e të stilizuara poetike, sprovuan prej kohësh shkrimtarët shqiptarë të cilën shfaqen herë në rolin e krijuesit të mirëfilltë, herë në rolin e mbledhësit, të përgatitësit për botim apo të përkthyesit të atij materiali poetik letrar, që i bindet "ligjit" të shkurtësisë. Edhe pse jo aq të shpeshta, sa mund të përbënin një dukuri ngulmuese, format e poezive të shkurtra kanë qenë të pranishme prej mëse një shekulli në krijimtarinë e disa shkrimtarëve shqiptarë. Vlen të theksohet që në krye se kjo prani e poezisë me pak vargje në shqip nuk i brendashkruhet ndonjë lëvizjeje letrare, si minimalizmi për shembull, që mori hov në Amerikë mes viteve '60-'70 të shekullit të 20-të, si praktikë shkrimore me synime të qarta, që e vendosi veten qëllimshëm kundrejt llojit të gjatë të poemës romantike e realiste. Teknikat e mëvonshme shkrimore të poezisë miniaturë, ringjallur nga modernizmi si praktika shkrimore, mbetën të panjohura për shumë kohë në Shqipëri. Në këto bën pjesë edhe krijimtaria në poezi miniaturë e imazhistëve, shkruar në mes të viteve 1920-1930, me përfaqësues E. E. Cummings, W. C. Williams apo E. Pond e më pas prej brezit letrar Beat1, të cilët sjellin risi dhe e pasurojnë modelin perëndimor të poezisë-miniaturë, përfshi edhe poezinë-fragment.
Etëhem Haxhiademi vëzhguar përmes parathanëjeve të tij
In: Studime filologjike, Heft 3-4, S. 29-52
Mes autorëve shqiptarë të viteve '30-të të shekullit të kaluar, Etëhem Haxhiademi është ndër të rrallët që i pajis me Parathanëje të gjitha veprat e tij. Përveç heptalogjisë tragjike, e cila shoqërohet e gjitha me Parathanëje, me të tilla tekste ndërmjetësuese shoqërohet edhe përkthimi i Bukolikeve të Virgjilit, sikurse dhe Lyra, i vetmi vëllim poetik i Haxhiademit, e ka një Parathanëje si tekst paraprijës në lexim. Fakti i pajisjes së çdo vepre të Etëhem Haxhiademit me një Parathanëje të veçantë paraqitet si një rast përjashtimor brenda letërsisë shqiptare të cilin, më fort se një akt formal, e cilësojmë çështje të vetëdijes artistike dhe kulturore të këtij autori. Prej këtej jepet shtysa që interpretimi i kësaj trashëgimie letrare të kryhet nën poetikën e paratekstit, sugjeruar fillimisht nga Gérard Genette1, me qëllim që vepra e një autori të përveçëm klasik, si Etëhem Haxhiademi, të lexohet në mënyrë kritike edhe nën dritën e teorive moderne, duke u trajtuar si elemente peritekstuale dhe epitekstuale. Falë këtyre interpretimeve, që burojnë e rrjedhin prej teorisë së paratekstualitetit, dukuri të tilla si ndërveprimi mes "tekstit qendror" dhe "teksteve të jashtëm" mund të qëmtohen edhe në veprën e Haxhiademit. Përtej këtyre, aty mund të vëzhgohen edhe elemente të tjera, si vendi që zënë dhe rolet që luajnë Parathanëjet kundrejt konteksteve të veprës letrare, që prej kohës së botimit a vënies së tyre në skenë e deri te riaktualizimi i sotëm i tyre.